15.10.2026
Marketing & Sustainability Conference 2026, Lipica!
Më 8 dhe 9 tetor 2026, Lipica e Sllovenisë na bëri bashkë me kolegët e Grupit Sava për Marketing & Sustainability Conference 2026. Dy ditë të mbushura me diskutime, shkëmbim përvojash dhe ide të reja për marketingun dhe qëndrueshmërinë.
Ambienti i gjelbër dhe qetësia e Lipicës i dhanë një frymë të veçantë kësaj konference. Përtej prezantimeve, programi përfshiu edhe një shëtitje në Štanjel, duke krijuar hapësirë për biseda më të afërta dhe momente të bukura me kolegët.
Në këtë konferencë, SAVA Jetë u përfaqësua nga kolegia Rreze Salihu, e cila prezantoi rrugëtimin e rebrandimit nga ILLYRIA në SAVA. Ishte kënaqësi të ndanim me kolegët procesin që qëndron pas këtij ndryshimi, nga idetë dhe përgatitjet e para, deri te realizimi i kampanjës dhe prezantimi i identitetit tonë të ri.
Përmes prezantimit “Rebranding Campaign: From ILLYRIA to SAVA”, sollëm aktivitetet kryesore, rezultatet dhe mësimet që morëm gjatë këtij rrugëtimi. Pas çdo hapi qëndron puna dhe përkushtimi i kolegëve tanë, të cilët kontribuuan që emri i ri të vinte sa më natyrshëm pranë klientëve dhe publikut.
Konferenca na dha gjithashtu mundësinë të njiheshim me projekte të kompanive të tjera të Grupit, të shkëmbenim ide për komunikimin dhe zhvillimin e brendit, si dhe të diskutonim se si qëndrueshmëria mund të frymëzojë mënyra të reja të të menduarit dhe të punuarit.
Një vlerë të veçantë konferencës i dhanë edhe folësit e ftuar, Robert Petković dhe Sara Isaković. Roberti ndau këshilla praktike për përdorimin e Google Analytics, ndërsa Sara solli një këndvështrim frymëzues mbi mënyrën se si mund të ruajmë qëndrueshmërinë personale përballë ndryshimeve të vazhdueshme. Dy tema të ndryshme, por të vlefshme për punën dhe zhvillimin tonë të përditshëm.
Për SAVA Jetë, pjesëmarrja ishte një mundësi e vlefshme për të ndarë përvojën tonë, për të mësuar nga kolegët e Grupit dhe për të marrë ide të reja për aktivitetet e ardhshme.
#SAVAJetë #SavaInsuranceGroup #MesNjerezveTeMire #AsnjehereVetem





